Ministrat në qeverinë Hoti
Lidhja Demokratike e Kosovës ka gjasa që sot, e premte, më 1 maj, të përcaktohet për emrat e ministrave të vet në qeverinë Hoti. Nuk priten shumë ndryshime nga përbërja e ministrave që ishin në qeverinë Kurti. Siç ka mësuar Reporteri.net, ka një pajtueshmëri të madhe brenda LDK-së që ministra të saj të jenë Armend Zemaj, Anton Quni, Arban Abrashi, Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami dhe Vlora Dumoshi.
“Do të diskutohet edhe sot dhe do të kemi përcaktim final”, ka thënë një zyrtar i lartë i kësaj partie.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar dje Avdullah Hotin mandatar për formimin e qeverisë. Menjëherë Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e këtij dekreti. Gjykata Kushtetuese pritet, siç mëson Reporteri, të vendosë sot për masën e përkohshme apo jo. Një masë e përkohshme do të mund ta pezullonte procesin e formimit të qeverisë deri në vendimin final të gjykatës, e që do të merret disa ditë, shkruan Reporteri.
Por kjo mund të mos ndikojë në përcaktimin e LDK-së për emërimin e ministrave.
“Ne presim që të shtunën të mbahet seanca, ashtu siç kemi kërkuar”, ka thënë ky zyrtar i LDK-së.
Sipas tij, Vlora Dumoshi me gjasë do të vazhdojë të jetë në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Meqë Ministrinë e Arsimit e merr AAK, Hykmete Bajrami po shqyrtohet mundësia t’i jepet pozita e zëvendëskryeministres.
“Për Lumir Abdixhikun ka një pajtueshmëri që të jetë ministër i Financave, Anton Quni të vazhdojë në ministri të Mbrojtjes, ndërkaq sa iu përket Arban Abrashit dhe Armend Zemajt, ka mbetur të përcaktohet. Sa i përket Valbon Krasniqit, infektologu që është përfolur për ministër të Shëndetësisë, do të vendoset sot”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për Reporterin.
Ndërkohë, Nisma Socialedemokrate ka marrë tri pozita në qeveri, zëvendëskryeministrin dhe Ministrinë e Tregtisë si dhe atë të Punës e Mirëqenies Sociale.
Në koalicion është thënë se do të jetë edhe AKR-ja, por nuk dihet se çfarë pozitash do të ketë. Minoritetet serbe dhe joserbe gjithashtu do të kenë hise, por ende nuk është përcaktuar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 4 ministri dhe zëvendëskryeministrin e parë.
“AAK-ja do të udhëheqë me katër ministri dhe me zëvendëskryeministrin e parë. Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministër i parë, Selim Selimi do të jetë ministër i Drejtësisë, Meliza Haradinaj, ministre e Jashtme, Ramë Likaj, ministër i Arsimit dhe Blerim Kuçi, ministër i Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë kreu i saj Ramush Haradinaj.