Ministrat Sharçeviq dhe Shahini pajtohen për përkthimin e librave në shqip
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik i Serbisë, Mlladen Sharçeviq, dhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit e Shqipërisë, Besa Shahini, janë pajtuan për përkthimin e librave për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.
“Përkthimin do ta bëjnë ekspertë nga Tirana dha nga Fakulteti Filologjik në Beograd”, ka thënë Sharçeviqi, raporton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.
Ai ka thënë se është rënë dakord për formimin e ekipeve punuese në Serbi dhe Shqipëri, me qëllim që të përkthehen sa më shumë tekste shkollore për klasën e parë dhe të dytë, si dhe të pestë dhe të gjashtë të shkollës fillore.
Sharçeviqi ka theksuar se kur bëhet fjalë për shkencat natyrore, Shqipëria dhe Serbia punojnë me planprogram të ngjashëm.
“Duam që rinia jonë të ketë njohuri të mira themelore, por edhe për shkencën dhe kompetencat digjitale, si në gjuhën amtare, ashtu edhe në gjuhë të tjera”, ka thënë në anën tjetër ministrja Shahini.
Dy ministrat janë takuar në Bujanoc, ku kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit arsimor midis dy vendeve, ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik e Serbisë.