Ministrat Sveçla dhe Krasniqi vizitojnë brezin kufitar në veri: Policia po i mbron kufijtë tanë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Albert Krasniqi, kanë vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak.
Me këtë rast, Sveçla ka thurur lavde për Policinë e Kosovës, duke thënë se ata janë në nivel të lartë të detyrës.
“Bashkë me ministrin Elbert Krasniqi, drejtorin e përgjithshëm të policisë, Gazmend Hoxha dhe drejtorin e departamentit të kufirit, Fehmi Xhata, sot kemi vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë asetit tonë, Liqenit të Ujmanit. Policia jonë në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbron kufijtë tanë dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë, të cilat janë bërë 115 sosh vetëm në veriun e vendit tonë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Më tej, ai ka vlerësuar se mbështetja e tij për policinë nuk do të mungojë asnjëherë.
“Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avancimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar. Mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.