Ministre është njerëzore ndonjëherë me u skuqë
Shkruan: Hajdin Abazi
Ministrja e jashtme thuri një elozh, një elozh bërë vdekjes!
Kjo ndodhi në të njëjtën ditë kur 18 njerëz vdiqën nga Covid-19.
A i ke parë, ministre, reagimet e punëtorëve shëndetësore, që janë në frontin e luftës me pandeminë, pakënaqësitë e tyre për trajtimin që po ua bën ministria e shëndetësisë?
Në një gjendje të këtillë mund të flitet për zi, por askush nuk ka të drejtë morale të lëvdohet, e aq më pak të lëvdohet ai që është përgjegjës për shëndetësinë.
A nuk e ke parë ministrin e shëndetësisë me mindil duke vallëzuar në dasmë me qindra njerëz prezentë, në kohën kur homologët e tij gjithkund në botë, me shumë më pak raste se në Kosovë, sikletoheshin se si të përballonin pandeminë!?
Ajo që bëre ti, ministre e jashtme, për të treguar se jeni në akordancë të plotë në koalicion, se i qëndroni besnik dhe e mbështetni njëri-tjetrin është më e rëndësishme se sa ta këshillosh miqësisht që të marrë masa urgjentisht, kur vdekja po korr jetë njerëzish!
Kjo i bjen, përkrahje e papërgjegjësisë.
U solidarizove kur nuk duhet!
E pra, ministre e jashtme, në Zelandë të Re për një të infektuar – u fut në izolim i tërë shteti. Për preventivitet.
Njëlloj bëri edhe Kanbera, kryeqyteti australian. Izolimi bëri që për tri javë Kanbera t’i ka gjithsejtë 209 të infektuar, dhe asnjë të vdekur deri më sot.
Dhe askujt nuk i shkoi ndër mend të thurë elozhe për ministrat e shëndetësisë të asnjërit vend!
Ministre e jashtme, do të ishte mirë me pa përtej optikës partiake.
Sepse tash që je në pushtet, në radhë të parë duhet të kesh përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Të paktën, të kesh parasysh se të dëgjojnë edhe familjarët që po varrosin të dashurit e tyre dhe janë në mërzi e pikëllim.
Është njerëzore me ditë me u skuqë ndonjëherë!