Ministri Abdixhiku konfirmon se karantinimi në Kosovë po funksionon
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, përmes rrjetit social “Facebook” ka thënë se 500 qytetarë tanë janë vendosur aty në Qendrën Studentore në karantinë. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka.
Postimi i plotë i ministrit Abdixhiku në Facebook:
Kushtet në Karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, ditët e para mund të kishin qenë edhe të vështira – mësuam në vështirësi – por karantinimi po funksionon.
Mbi 500 qyretarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht.
Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontrollë edhe kthim në shtëpi.
Për këtë duhet falenderuar të gjithë. Qytetarët që me durim qëndrojnë aty; por mbi të gjitha shërbyesit e qendrës, të shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim.