Ministri Aliu pas raportimeve për hetime ndaj tij: Ligji është autoriteti më i lartë për mua
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar pas raportimeve se Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet ndaj tij në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar lidhur me raportimet që po qarkullojnë në media, se ndaj tij kanë nisur hetime nga Prokuroria Speciale.
Sipas raportimeve në media, Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit, ku ministri Aliu rezulton të jetë i pandehur.
Në reagimin e tij, Aliu ka thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga organet e drejtësisë për hetime kundër tij. Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbardhur plotësisht çdo çështje që lidhet me këtë rast.
“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale ministri Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t’i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.