Ministri Aliu: Tmerruese që raportet shërbimeve dhe medieve serbe përdoren për ta akuzuar UÇK-në
Ministri Liburn Aliu, duke komentuar dëshminë e raportuesit të Human Rights Watch, kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, i cili u detyra të pranojë se nga ato çfarë e kishte thënë për UÇK-në, ishte bazuar në raportimet e medieve serbe.
Aliu ka thënë se është tmerrues kur raportet e shërbimeve dhe medieve serbe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch, për të akuzuar UÇK-në.
“Është tmerruese kur e mendon se si raportet e shërbimeve dhe mediave serbe kanë arritur të ndikojnë dhe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch”.
“Pra, qëndrimet e dala nga aparati i Serbisë – i cili deri në atë kohë qe pushtues herë represiv e herë opresiv, por që edhe sot e kësaj dite ka për synim shtypjen e shqiptarëve në Luginë dhe njëherit bllokimin e Kosovës – janë publikuar nga HRË, fatkeqësisht pa bërë as verifikimet e duhura në terren. Së paku kështu po del nga dëshmia e deritanishme e dëshmitarit të prokurorisë në Hagë Frederic Abrahams! Dhe këto të dhëna po i përdor Prokuroria si bazë për ngritjen e aktakuzave për krime”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Aliu ka thënë se duhet të ketë drejtësi për çdo viktimë të krimit, duke thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pashmangshme.