Ministri Beqaj: Fuqizimi ekonomik i grave, prioritet i yni

02 gusht 2018 | 15:42

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka mbajtur takim me përfaqësueset e Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës (G7) me qëllim të promovimit të Programit për financim të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM).

Në këtë takim, Beqaj ka ftuar gratë ndërmarrësë që të aplikojnë për mbështetje financiare në këtë program, duke theksuar se mbështetja e grave ndërmarrëse të Kosovës është njëri nga objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pasi niveli i ndërmarrjeve të udhëhequra nga gratë është i ulët.

“Gratë ndërmarrëse të Kosovës është dëshmuar se kanë potencial ndërmarrës dhe qëllimi i Programit për mbështetje financiare është fuqizimi ekonomik i grave dhe ngritja e potencialit prodhues dhe shërbyes të NVM-ve për rritje të eksportit të produkteve dhe shërbimeve”, ka deklaruar Beqaj.

Ai ka thënë se gratë ndërmarrëse janë shtyllë e rëndësishme ekonomike në të cilën duhet të investohet më shumë nga shteti. Ai ka siguruar se projektet e grave do të trajtohen me prioritet, pasi objektiv kryesor i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është përkrahja e grave ndërmarrëse.

Ndërsa, Arieta Vula-Pozhegu, anëtare e Bordit të G7,  ka falënderuar ministrin Beqaj për pjesëmarrje në takim duke shpresuar se përkrahja e grave ndërmarrëse nga së Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk do të mungoj. Gratë ndërmarrëse, anëtare të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovë,  kanë shfaqur interesimin e tyre për programin e financimit të NVM-ve dhe mundësitë për përfitim të përkrahjes financiare për ndërmarrjet e tyre, me theks në mundësitë e përfitimit nga ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë.

Takimi i ministrit Beqaj me G7-shin  është mbajtur në kuadër të takimeve që po mbahen me qëllim të promovimit të Programit për financim të “star-upeve” dhe NVM-ve. Në fund të takimit ministri Beqaj i ka ftuar gratë ndërmarrëse, anëtare të G7-shit që të aplikojnë për përkrahje financiare me projektet e tyre konkrete që ndikojnë në krijimin e vendeve të reja dhe fuqizimin e ekonomisë së Kosovës përmes digjitalizimit.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Françesku i ka ndryshuar mësimet e kishës katolike në…