Ministri Beqaj, javën e ardhshme udhëton për në ShBA
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, javën e ardhshme do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, si dhe do të ketë takime të rëndësishme me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes amerikane në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Ministri Beqaj gjatë qëndrimit në ShBA do të vizitojë Universitetin “James Madison”, ku do të takojë presidentin e këtij universiteti, në veçanti departamentin për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ai do të ketë takime shumë të rëndësishme edhe me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Bankës Botërore, USAID-it, si dhe me përfaqësues të Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministri Beqaj gjatë vizitës në ShBA do të promovojë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të kërkojë mbështetje në fushën e konsulencës dhe në aspekte të tjera që do të ndihmonin në realizimin e objektivave të kësaj ministrie, si dhe do të marrë përvojat amerikane në funksionimin e Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.