Ministri Beqaj thotë se Kosova ka potencial njerëzor superkreativ
Në kuadër të aktiviteteve më qëllim të promovimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe nxitjes së të rinjve në shërbim të avancimit të kësaj fushe të ekonomisë, ministri Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka vizituar Qendrën e Inovacionit CEDx në Pejë.
Gjatë vizitës ministri Beqaj ka vizituar ambientet e CEDx-it dhe ka parë nga afër punën e të rinjve në këtë qendër, si dhe ka bashkëbiseduar me udhëheqësit e saj.
Ai është shprehur i mahnitur me kreativitetin e të rinjve të Qendrës CEDx, duke çmuar resurset njerëzore të Kosovës dhe mundësitë që ka vendi me potencialin e njerëzor që ka, për ta kthyer ekonominë e Kosovës në një shoqëri të re ku do të mundësohen automatizimi i çdo pune të mundshme.
“Me resurset më të çmuara të vendit tonë, ne sot në Qendrën për Inovacion CEDx, jemi duke diskutuar që si mund të kthejmë ekonominë e Kosovës në një shoqëri të re me robotët, për të mundësuar automatizimin e çdo pune të mundshme me qëllim të thjeshtimit dhe rritjes së efikasitetit në punë”, ka thënë ministri Beqaj.
Po ashtu, ministri Beqaj ka thënë se Kosova ka potencial njerëzor superkreativ që mundëson rritjen e ekonomisë digjitale të bazuar në dije dhe në rritjen e eksportit të shërbimeve.