Ministri Berisha: FSK-ja e hapur për të bashkëpunuar me KFOR-in
Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, në Kosovë, gjeneralin Frances Lorenzo D’Addario.
Fillimisht, Berisha ia ka uruar detyrën e re komandantit të KFOR-it, si dhe i ka shprehur falënderimin e veçantë KFOR-it, për ndihmën e vazhdueshme për FSK-në, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të FSK-së dhe KFOR-it.
“Ne jemi të hapur që bashkëpunimin tonë me KFOR-in, ta avancojmë edhe më tej. Jemi të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm dhe do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim korrekt, të hapur, transparent dhe të sinqertë edhe në të ardhmen”, ka thënë Berisha.
Berisha ka theksuar se KFOR-i ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në Kosovë, në krijimin e ambientit të qetë.
“Roli juaj këtu është shumë i rëndësishëm në ndihmën tuaj, në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës” -ka thënë ministri Berisha.
Më tutje, ministri Berisha, e ka njoftuar gjeneralin D’Addario, edhe me ecurinë, sukseset dhe sfidat me të cilat po përballet FSK-ja.
Ai gjithashtu e ka njoftuar për procesin e transformimit dhe pritjet pas miratimit në leximit të dytë të ligjeve për FSK-në, nga Kuvendi i Kosovës.
“Mandati i ri i FSK-së, do të ruaj karakterin profesional, me mision mbrojtës. Një Forcë e hapur për të gjithë qytetarët dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne jemi zotuar se rajoni do të ketë edhe një forcë aleate, të ndërveprueshme me aleatët dhe në shërbim të krijimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon dhe me gjerë, jo vetëm konsumues por edhe ofrues të paqes” ka thënë Berisha.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali Frances Lorenzo D’Addario, ka falënderuar ministrin Berisha, për pritjen si dhe e ka përgëzuar për punën dhe përkushtimin e deritanishëm.
“Jemi këtu që të kontribuojmë për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. Jam mirënjohës për gatishmërinë që po tregoni për bashkëpunim, në qëllimin e përbashkët, për sigurinë dhe paqen në vend”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
/Epoka e re/