Ministri Berisha: FSK-ja, garantuese e prosperitetit të Kosovës
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe intensifikimin e tyre sidomos në fushën e sigurisë.
Berisha e ka njoftuar ambasadorin italian mbi të arriturat e FSK-së, stadin aktual të zhvillimit dhe planet për të ardhmen.
Ministri Berisha ka thënë se FSK-ja është duke u respektuar jashtëzakonisht shumë nga qytetarët e vendit.
“Është bërë atraktive dhe e dëshirueshme edhe nga të rinjtë nga radhët e komuniteteve, si dhe po dëshmon me sukses se do të jetë forcë garantuese e prosperitetit të vendit tonë”, ka thënë Berisha.
Ndërsa, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ka shfaqur interesim për progresin e arritur në çdo fushë në Kosovë. Po ashtu, ai ka shprehur gatishmërinë për inicimin dhe shtyrjen përpara të agjendës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
/Epoka e re/