Ministri Berisha merr përkrahje nga Kanadaja për Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka pritur në takim deputetin e Kanadasë, njëherësh kryesues i Asamblesë parlamentare kanadeze të NATO-s, Borys Wrzesnewskyj, i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kanadasë që mbulon edhe Kosovën, Daniel Maksymiuk.
Ministri Berisha, pasi e ka falënderuar deputetin Wrzesnewskyj për ndihëm dhe përkrahjen e madhe të Kanadaja ka dhënë për Kosovën, e ka njoftuar edhe me zhvillimet e fundit, miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës, në mënyrë unanime ka miratuar tri ligjet për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkrahja e marrë prej 107 deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi, na ka bërë që të punojmë edhe më shumë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive tona”.
“Mandati i ri i FSK-së, do të ruaj karakterin profesional, me mision mbrojtës. Një forcë e hapur për të gjithë qytetarët dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne jemi zotuar se rajoni do të ketë edhe një forcë aleate, të ndërveprueshme me aleatët dhe në shërbim të krijimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë, jo vetëm konsumues por edhe ofrues të paqes. Përkrahja e Kanadasë edhe në këtë proces është shumë domethënëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në”, ka thënë Berisha.
Ndërsa, deputeti Borys Wrzesnewskyj, ka falënderuar ministrin Berisha për informimin e detajuar lidhur me zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK . Ai ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Kanadasë për proceset në të cilat po kalon Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
/Epoka e re/