Ministri Berisha njofton kryetarët e komunave me të arriturat e FSK-së
Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, së bashku me gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, drejtor i Departamentit të Operativës dhe Trajnimeve, si dhe Shpëtim Selmanaj këshilltar i ministrit, realizuan dje vizita zyrtare në komunat Klinë, Deçan dhe Junik.
Ministri Berisha gjatë vizitës së tij në këto komuna u prit nga kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj dhe kryetari i Junikut Agron Kuçi.
Ministri Berisha, gjatë takimeve që zhvilloi me kryetarët e këtyre tri komunave, i njoftoi ata me arritjet e FSK-së, sukseset individuale dhe të përgjithshme, shkollimet dhe trajnimet si brenda ashtu edhe jashtë vendit, bashkëpunimin me NATO-n, transformimin e FSK-së, si dhe realizimin e shumë projekteve humanitare të FSK-së në shërbim të komuniteteve jo shumicë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Vizita e ministrit Berisha dhe delegacionit që ai drejtonte kishte për qëllimi vlerësimin e mundësive të bashkëpunimit të FSK-së me këto komuna, ku në raste nevoje të mund t’iu ofronte ndihmë, përmes Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, në realizimin e projekteve të ndryshme bazuar në kapacitet që ka FSK-ja.
Ndërkaq, kryetarët Elezaj, Ramasoj dhe Kuçi e kanë falënderuar ministrin Berisha për vizitën dhe njëherësh e kanë njoftuar me aktivitetet komunale, realizimin e kërkesave të qytetarëve, duke theksuar problemet kryesore me të cilat përballën qytetarët e këtyre komunave.