Ministri britanik: Pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e Putinit
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e presidentit rus, Vladimir Putin.
Wallace ka thënë se forcat ruse, që janë angazhuar në pushtimin e Ukrainës, janë “rraskapitur” tashmë nga rezistenca e forcave lokale.
Ai ka thënë se ushtria ruse po përballet me probleme logjistike dhe ka pësuar mijëra humbje në 13 ditët e para të pushtimit.
Wallace ka thënë se është “detyrë e pamundur” të pushtosh një vend me 44 milionë banorë.
“Ky do të jetë fundi i Putinit dhe kështu duhet të jetë”, ka thënë Wallace për “BBC”-në.
Sipas tij, Putin është tashmë “një forcë e shpenzuar” në botën e gjerë, sepse komuniteti ndërkombëtar ka konstatuar se pushtimi i Ukrainës dhe katastrofa humanitare që ai ka shkaktuar, “janë të papranueshme”.
Sanksionet ndërkombëtare, të vendosura ndaj Rusisë, “po e zvogëlojnë ekonominë e tij në zero” dhe Putin “është përgjegjës për këtë”, ka thënë Wallace.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Putini ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.