Ministri britanik udhëton drejt Iranit për të diskutuar paktin bërthamor
Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt pritet që më 19 nëntor të vizitojë për herë të parë Iranin, për të diskutuar rreth paktit bërthamor që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërore.
Vizita e Hunt në Iran shënon edhe udhëtimin e parë të një ministri të Jashtëm nga Perëndimi, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, e cila parasheh heqje të sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor, raporton “Rel”.
Në raportin e fundit të Vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara për Armë Bërthamore, është thënë se Irani është duke vepruar në përputhje me paktin e vitit 2015, pavarësisht pse Uashingtoni është tërhequr nga ai dhe ka vendosur valën e dytë të sanksioneve ndaj Teheranit më 4 nëntor.
Para nisjes së vizitës në Iran, Hunt ka thënë në një deklaratë se marrëveshja bërthamore është “element i rëndësishëm për stabilitet në Lindje të Mesme” dhe se Britania “do ta zbatojë atë për aq kohë sa edhe Irani do ta bëjë një gjë të tillë”.