Ministri Bytyqi: Ngritja e cilësisë në arsim, prioritet i yni
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se zyrtarizuan bashkëpunimin me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), përmes nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ishte në vazhdën e aktiviteteve të cilat janë ndërmarrë, me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila këtë vit në fokus do të ketë edukimin financiar, si dhe vendosjen e qytetarit në qendër të agjendës zhvillimore”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Bytyqi ka theksuar l se, ky dokument është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi bashkëpunimet e mirëfillta ndërinstitucionale i kontribuojnë realizmit të qëllimit të Ministrisë së Arsimit, për arsimim dhe edukim cilësor.
“Ngritja e cilësisë në arsim në vendin tonë është prioritet i ynë, si i tillë ky prioritet duhet të përkrahet nga të gjithë ne dhe një shembull i mirë është edhe arritja e Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës. MAShT është e gatshme të përkrahë çdo iniciativë të tillë dhe të arrijë Marrëveshje Mirëkuptimi edhe me partnerë të tjerë, të cilët kanë për synim zhvillimin e arsimit”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai ka falënderuar guvernatorin e BQK-së për bashkëpunimin që ka treguar edhe në kuadër të shënimit të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”.
Në fund të ceremonisë u ndanë edhe dhjetë çmime për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, Kurse, Fito”.