Ministri Bytyqi dhe përfaqësuesit e BB-së bisedojnë rreth ecurisë së projektit ESIP
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur të premten përfaqësues të Bankës Botërore, me të cilët ka biseduar rreth ecurisë së projektit ESIP “Përmirësimi i Sistemit Arsimor në Kosovë”, të financuar nga Banka Botërore.
Angela Demas nga Banka Botërore e informoi ministrin se në këtë projekt, i cili ka qenë në rrezik të mbyllet si projekt gjatë pjesë së parë të vitit 2019, të gjitha objektivat janë arritur tashmë, e në veçanti ka përfunduar me sukses ndarja e granteve zhvillimore për shkollat.
Përfaqësuesit e BB-së falënderuan stafin e MAShT-it, në veçanti kabinetin e ministrit Bytyqi dhe shefin e kabinetit, Baton Dushi, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme që gjërat të lëvizin pozitivisht dhe ky projekt i rëndësishëm për sistemin arsimor në Kosovë të vazhdojë të implementohet.
Ministri Bytyqi ka falënderuar Bankën Botërore për ndihmën që i kanë dhënë arsimit në Kosovë vazhdimisht, e në veçanti për ndihmën e dhënë në implementimin e projektit ESIP, si dhe për mirëkuptimin e treguar gjatë periudhës së vështirë të këtij projekti.
Ministri Bytyqi, po ashtu ka falënderuar gjithë stafin e MAShT-it dhe BB-së që ka punuar në këtë projekt, ndërsa ka theksuar se do të japë ndihmën e tij për aq kohë sa do të jetë në detyrë, në mënyrë që të realizohen edhe planet e parapara për këtë vit në kuadër të projektit.
/Epoka e re/