Ministri Bytyqi: Ekonomia e vendit varet nga cilësia e sistemit të arsimimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, ka marrë pjesë në konferencën e tretë kombëtare me titull: “Arsimi dhe aftësimi profesional, shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit”, në të cilën janë prezantuar të arriturat e arsimit dhe aftësimit profesional në shërbim të zhvillimit ekonomik.
Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në këtë konferencë ka theksuar se ekonomia e vendit varet nga cilësia e sistemit të arsimimit.
Postimi i plotë i Bytyqit:
Sot mora pjesë në Konferencën e tretë kombëtare “Arsimi dhe aftësimi profesional, shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit”, ku u prezantuan të arriturat e arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit për të rritur në shërbim të zhvillimit ekonomik.
Në konferencë gjithashtu u prezantuan 18 udhëzues të përgatitur nga ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët do të jenë në shërbim të shkollave dhe nxënësve.
Me këtë rast thash se, ekonomia e vendit varet nga cilësia e sistemit të arsimimit të të rinjve në shkolla, në veçanti në shkollat profesionale.
Po ashtu vlerësova se, duhet ti kushtohet vëmendje e veçantë ngritjes së standardeve të shkollave profesionale, pasi që tashmë është një kërkesë e vazhdueshme e të rinjve tanë për tu orientuar në këto shkolla.
Ministria e Arsimit, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm zhvillimin e arsimit profesional, ka zhvilluar dhe vazhdon të investoj në zhvillimin e infrastrukturës ligjore.
/Epoka e re/