Ministri Bytyqi: Ideali i dëshmorëve, të kemi një rini të arsimuar
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në ceremoninë e përmbylljes së manifestimit “Java e Remzi Ademaj” në Prizren, aktivitet ky që është zhvilluar për disa ditë në frymë të garave të diturisë, sporteve dhe aktiviteteve kulturo-artistike.
Më këtë rast, ministri Bytyqi ka përgëzuar organizatorët e kësaj ngjarjeje, duke thënë se shpërblimi dhe nderimi më i madh për dëshmorët tanë, është që të zhvillohen aktivitete të tilla, në frymën e edukimit, kulturës dhe sportit.
“Ideali i dëshmorëve tanë ishte që të kemi një rini, e cila duhet të edukohet dhe arsimohet në liri, një rini të shëndetshme, e cila do t’u prijë proceseve zhvillimore, të ardhmes së vendit”, ka thënë Bytyqi.
Duke iu uruar suksese të mëtejme nxënësve pjesëmarrës në këtë aktivitet, ministri Bytyqi ka bërë me dije se MAShT-i do të vazhdojë të promovojë frymën garuese pozitive në shkollat tona, të nxitet dhe motivohen arritjet e rezultateve të mira në arsim, duke i shpërblyer nxënësit, mësimdhënësit dhe shkollat më të mira.
Në ceremoninë përmbyllëse të këtij manifestimi kushtuar dëshmorit të kombit Remzi Ademaj, emrin e të cilit e mbanë shkolla e mesme e lartë në Prizren, garuesve më të mirë iu ndanë mirënjohje nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren.
/Epoka e re/