Ministri Bytyqi: Inspektorati i Arsimit nuk funksionoi si duhet
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë.
Në këtë dëgjim publik kanë marrë pjesë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, anëtarët e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi si dhe drejtorët komunalë të arsimit.
Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se është vërejtur mangësi në funksionimin e departamentit të Inspektoratit.
“Inspektorati luan një rol të rëndësishëm. Ky ligj dhe fuqizimi i inspektoratit do ta ndihmonte ministrinë. Kemi autorizime shtesë për inspektoratin që qëllim i vetëm është ngritja e cilësisë. Edhe të pjesa e arsimit të lartë ku do të ketë një mbikëqyrje të zbatimit të legjislacionit. Në Departamentin e Inspektoratit është vërejtur një mangësi në formën se si ka funksionuar deri më tash. 70 për qind e punës është marrë me analiza të konkurseve të punës. Çdo mendim dhe ide që mund të vijë na ndihmon që të kemi një ligj sa më të përshtatshëm”, ka deklaruar Bytyqi.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka thënë se qëllimi i tyre është që të nxjerrin një projektligj sa më të kompletuar, i cili sipas tij do të ndikojë në rritjen e cilësisë në arsim.
“Në mandatin e kaluar është punuar në këtë projektligj, por për shkak të ndërprerjes së punës së Kuvendit, ne e kemi nisur nga zeroja. Nga debati i sotëm komisioni do të marrë shumë informata dhe ide që do të na ndihmojnë në hartimin e mëtutjeshëm. Qëllimi ynë është që ta nxjerrim një projektligj sa më të kompletuar sepse ndikon në ngritjen e cilësisë në arsim”, ka thënë Kurteshi.
Më tutje Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka prezantuar një hulumtim përshkrues për Projektligjin e Inspektoratit të Arsimit në Kosovë. Ai ka thënë se qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë që përmes inspektoratit të sigurohet cilësia në arsim.
“Institut ka hartuar një hulumtim përshkrues. Qëllimi i këtij hulumtim ka qenë krahasimi i këtij projektligji me ato të rajonit. Nuk janë trajtuar aktet nënligjore. Qëllimi është që përmes inspektoratit të sigurohet cilësia. Ky projektligj e saktëson se kush e merr iniciativën për inspektim. Rekrutimi i personelit administrativ është lënë hapur të caktohet me akte nënligjore. Projektligji në fjalë qëndron në vijë me vendet e rajonit, me disa dallime”, ka thënë ai.
Kurse drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Popovci, ka thënë se ka dy vërejtje sa i përket Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit, të cilat sipas tij kanë të bëjnë me përfshirjen e inspektoratit në vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve dhe statutin e Inspektoratit.
“Në Qendrën për Arsim të Kosovës e kemi analizuar projektligjin dhe e kemi një vërejtje. Ajo është përfshirja e inspektoratit në vlerësimin e përformancës. Nga krahasimet dhe praktikat tjera, nuk mendoj që inspektorati duhet të ketë rol afatgjatë në licencimin e vlerësimit të përformancës. Propozimi ynë është që këto nene të hiqen. Inspektorati do të ketë problem të organizohet ashtu siç e parasheh këtë projektligj. Vërejtja tjetër ka të bëjë me statusin e inspektoratit. Është mirë që thuhet se inspektorati është agjenci e pavarur. Por, këto agjenci nuk po kanë pavarësi”, ka thënë ai.
Krejt në fund, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Defrim Gashi, ka thënë se Projektligji për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë është i kompletuar.
“Të dhënat personale të mësimdhënësve nuk duhet të kenë qasje gjithkush në to. E ndjemë pozitivisht që të vlerësojmë nëse mësimdhësi e meriton licencimin. Të statuti i Inspektorati, kemi paraparë që të jetë organ qendror brenda Ministrisë së Arsimit. Nëse inspektorati del nga Ministria e Arsimit, atëherë zbehet autoriteti i ministrisë. Janë tri politika të ministrisë që janë prioritet, siç janë: vlerësimi i përformancës së mësimdhënësve, vlerësimi i jashtëm i shkollave dhe kurrikula. Ky projektligj për rrethanat e sotme është i kompletuar”, ka thënë Gashi.
(A.Shefkiu)