Ministri Bytyqi: Kemi siguruar 400 bursa për nxënësit e margjinalizuar
Qendrat mësimore të komunitetit në Brekoc të Gjakovës janë vizituar të mërkurën nga zyrtarët qeveritarë, përfshirë ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, drejtorin e GIZ-it, David Oberhuber dhe kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjini.
Ky i fundit ka thënë se këto qendra kanë rëndësi jo vetëm për komunitetet por edhe për Gjakovën në tërësi, ku në bazë të mundësive do mundohen të rrisin kapacitete te reja.
“Ngjyra e lëkurës nuk paraqet dallim as tek mjekët e as te inxhinierët, e këto do të bëjnë që pas një kohe mos të kemi të tilla diskutime”, ka thënë Gjini.
Ndërsa drejtori i GIZ-it, David Oberhuber, është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me qëllim të edukimit gjithëpërfshirës. “Arritja e barazisë arrihet duke i mbështetur komunitetet”, ka thënë ai.
Në anën tjetër ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se kanë siguruar 400 bursa për nxënësit e margjinalizuar për të vazhduar shkollimin e mesëm dhe 600 të tjera që janë ndihmuar nga partnerët e huaj. Këto qendra kanë kapacitet për 215 nxënës.