Ministri Bytyqi kërkoi zbatimin e vendimit për rritjen e numrit të studentëve të rinj në mjekësi
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në largim, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, prorektorët Hysen Bytyqi dhe Merita Koçnaj-Berisha, si dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka.
Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me situatën e krijuar për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin e ri akademik 2019/2020.
Ministri Bytyqi ka thënë se UP-ja, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë, duhet që sa më parë të implementojnë vendimin e MAShT-it lidhur me rritjen e numrit të studentëve të rinj në dy drejtime të këtij fakulteti.
Po ashtu, Bytyqi ka thënë se vendimi për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, është marrë në bazë të kërkesës së UP-së.
Sipas ministrit Bytyqi, një vendim i tillë është marrë në bazë të kompetencave ligjore që ka Ministria, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar si politikë arsimore me interes nacional.
Ministri Bytyqi ka kërkuar që sa më parë të fillojë së zbatuari vendimi, ndërsa përfaqësuesit e UP-së dhe FM-së u shprehën të gatshëm të respektojnë vendimin e MAShT-it siç është e paraparë ne vendim.
/Epoka e re/