Ministri Bytyqi kërkon bursa më të larta për studentë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur një takim me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me të cilët ka biseduar lidhur me vendimin e MAShT-it për dhënien në shfrytëzim të katit të dytë të Bibliotekës Universitare Institutit të Historisë.
Ministri Bytyqi ka theksuar nevojën për lirimin e objektit nga ana e UP-së, me qëllim të krijimit të kushteve për veprimtari normale hulumtuese-shkencore të Institutit të Historisë, i cili aktualisht nuk i ka as kushtet minimale për aktivitetet dhe punën që priten dhe duhet t’i bëjë ky institucion.
Në këtë takim është biseduar edhe për bursat e studentëve.
Ministri Bytyqi ka thënë se bursat e studentëve duhet të jenë më të larta se sa që janë aktualisht, në mënyrë që të krijohen më shumë mundësi dhe të motivohen të rinjtë tanë për studime cilësore gjatë shkollimit të lartë.
Vendimi për dhënien në shfrytëzim të katit të dytë të Bibliotekës Universitare, Institutit të Historisë është marrë duke pasur parasysh se Biblioteka Universitare nuk ka zbatuar vendimin e Qeverisë nr. 08/29, të datës 31.07.2008 sipas destinimit të dhënies në shfrytëzim të objektit, por një pjesë të objektit e ka dhënë në shfrytëzim për administratën e Universitetit të Prishtinës, duke pasur parasysh nevojat e Institutit të Historisë për hapësira të domosdoshme për kryerjen e veprimtarisë së Institutit të Historisë.