Ministri Bytyqi kërkon përkrahjen e Zvicrës për ngritjen e cilësisë në arsim
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në fushën e arsimit dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë sektor, me theks arsimin dhe aftësimin profesional.
Ministri Bytyqi e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen që Zvicra ka bërë në shtetndërtimin e Kosovës, e në veçanti në reformimin e sistemit të arsimit, njëherësh ka shtruar nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme.
“Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj, sidomos në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional , të përvetësojmë modelet tuaja të zhvillimit të mësimit dual, përkatësisht ndërlidhjen e mësimit teorik dhe praktik”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka theksuar se mungon një shtrirje adekuate e shkollave profesionale në rajone, e që po e vështirëson zhvillimin e punës praktike të nxënësve, por edhe zhvillimi i profileve të reja, adekuat me nevojat e tregut të punës.
Po ashtu, ministri Bytyqi ka theksuar angazhimin e MAShT-it që nga klasa 6-9 të identifikojë nxënësit, të cilët do të orientohen në arsimin e mesëm profesional apo atë të përgjithshëm.
Ndërsa ambasadori Jean-Hubert Lebet, ka thënë se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e arsimit në Kosovë, sidomos zhvillimin e arsimit profesional.
“Ju keni nevojë për një arsim që do të mundësojë punësimin e të rinjve që ata të mos orientohen në migrim, por që shanset e tyre t’i kërkojnë dhe krijojnë në Kosovë”, ka deklaruar Lebet, duke theksuar se tashmë është hartuar një strategji të re, e cila do të zbatohet deri në vitin 2020.
/Epoka e re/