Ministri Bytyqi merr përkrahje nga dy universitete prestigjioze amerikane
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim një delegacion të dy universiteteve prestigjioze amerikane, Universitetit “James Madison” të Virgjinisë dhe atij “Mercer” të Gjeorgjisë.
Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se janë pajtuar që me këto dy universitete të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
“Kisha nderin të takohem sot me një delegacion të udhëheqësve dhe mësimdhënësve të dy universiteteve prestigjioze amerikane: Universitetit ‘James Madison’ të Virgjinisë dhe Universitetit ‘Mercer” të Gjeorgjisë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën ‘Nga paqja në prosperitet – Transformimi i shoqërisë kosovare përmes lidershipit të mirë’, e cila do të mbahet sot në Prishtinë”.
“Falënderova këto dy universitete dhe të gjitha universitetet amerikane për mbështetjen që kanë dhënë për arsimin kosovar, e në veçanti për arsimin e lartë, sepse shumë projekte të përbashkëta që janë realizuar, kanë ndikuar pozitivisht në arsimin e Kosovës. Po ashtu, theksova se, presim bashkëpunim edhe më tutje me universitetet amerikane, sidomos tani kur po bëjmë përpjekje për ta rishikuar arsimin në përgjithësi, e sidomos arsimin e lartë”, ka shkruar Bytyqi.
/Epoka e re/