Ministri Bytyqi mori pjesë në shënimin e Ditës Globale të Konsulencës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Globale të Konsulencës, e cila për të dytën herë po organizohet në Kosovë nga Business Consultants Council, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim-BERZH.
Qëllimi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Konsulencës është diskutimi për perspektivën, rëndësinë dhe njohjen e konsulencës si profesion dhe rrjetëzim me akterë institucional, biznese dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Ministri Bytyqi me këtë rast tha se, Kosova ka nevojë për fushën e konsulencës edhe në sferën private, por gjithsesi edhe në institucionet publike, ndërsa ka theksuar se promovimi dhe ruajtja e standardeve profesionale të konsulencës, viteve të fundit ka marrë hov Kosovë.
“Duke parë zhvillimet e hovshme në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, shohim se është shumë e nevojshme që të kemi një zhvillim të konsulencës, sepse është mënyra më e mirë për vendimmarrje. Çdo vendimmarrje që bëhet pa një analizë të mirëfilltë dhe pa një ekspertizë, e cila vjen vetëm nga ekspertët e fushave, të cilët i njohin problematikat dhe ato njohuri ia ofrojnë menaxhmentit është vendimmarrje jo e drejtë”, ka thënë ministri Bytyqi.
Duke theksuar rëndësinë dhe njohjen e konsulencës, ministri Bytyqi përmendi konsulencën e ofruar nga Komisioni Evropian për rishikimin funksional të MAShT-it.
Dita Globale e Konsulencës manifestohet si një organizim global në 53 shtete të ndryshme të botës.
/Epoka e re/