Ministri Bytyqi paralajmëron se edukimi medial do të jetë lëndë zgjedhore
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka paralajmëruar se edukimi medial do të jetë lëndë zgjedhore në shkollat e vendit.
Këtë konstatim, Bytyqi e ka dhënë sot në konferencën me temën “Konsultimet nacionale mbi Politikat dhe Strategjitë për Edukimin mbi Median dhe Informacionin”, e cila është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në partneritet me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe me mbështetje të UNESCO-s dhe BE-së.
Ministri Bytyqi ka pohuar se konsultimet e tilla synojnë një debat gjithëpërfshirës për Edukimin mbi Median dhe Informacionin (EMI), si dhe inicimin e hartimit të një kornize strategjike për integrimin e konceptit të EMI në sistemin arsimor formal dhe joformal të Kosovës, raporton “Epoka e re”.
“Përfshirja e lëndës Edukimi Medial në sistemin arsimor në Kosovë është i një rëndësie të veçantë dhe hap pozitiv në edukimin e të rinjve tanë në këtë fushë. Nxënësit tanë kanë nevojë që të kenë një qasje shumë më të drejtë në Edukimin Medial sepse nuk është vetëm çështje e fitimit të shkathtësive të të rinjve tanë në përdorimin e mediave, por rreziku për tu përballur me informatat e pakontrolluara të cilat vijnë në kohën e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai ka shtuar se edukimi medial është pjesë e kurrikulave, por jo në hapësirën në të cilën do të duhej të ishte. “Andaj edhe duhet një angazhim i të gjithë faktorëve në këtë drejtim, si parakusht për shoqëri të dijes dhe media të lira”, ka thënë Bytyqi.
/Epoka e re/