Ministri Bytyqi: Personave me aftësi të kufizuara do t’u ofrojmë arsim cilësor
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka raportuar të hënën para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013-2023, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuar.
Me këtë rast, ai ka thënë se MAShT-i bazuar në masat të cilat janë përcaktuar në planin nacional për personat me aftësi të kufizuara i ka adresuar të gjitha obligimet që dalin për Ministrinë e Arsimit dhe janë marrë hapa konkret që këto të realizohen.
“Fillimisht është plotësuar infrastruktura ligjore, e cila është në zbatim dhe janë hartuar edhe instrumentet e standardizuara për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve më aftësi të kufizuara, i cili ka filluar të pilotohet në 7 komuna me 14 shkolla në bashkëpunim me Universitetin e Padovës dhe atë të Bolonjës, projekt ky i cili do të zgjasë deri në qershor të vitit 2019. Janë hartuar edhe parametrat e financimit për nxënësit me nevoja të veçanta dhe kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së përkujdesjes së shoqërisë sonë për këta nxënës”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka treguar se MAShT-i në bashkëpunim me institucionin ‘Pearson’ të Anglisë, gjatë vitit 2017 ka përgatitur gjeneratën e parë prej 54 asistentëve për nxënësit me nevoja, ndërsa gjatë këtij muaji ka filluar përgatitja e gjeneratës së dytë prej 75 sosh për këtë çështje.
Gjithashtu ministri ka përmendur edhe faktin se me grandin specifik për vitin 2019 është planifikuar të punësohen 100 asistentë të cilët do të shpërndahen sipas kërkesave dhe nevojave të specifikuara nga komunat, ndërsa në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit, pritet të angazhohen edhe 100 studentë praktikantë.
“Po ashtu janë punësuar një numër i konsiderueshëm asistentësh dhe profesorësh që do të ndihmojnë në procesin e mësimnxënies për fëmijët me nevoja të veçanta, ku dhe janë formuar edhe ekipet vlerësuese në 24 komuna dhe janë bërë trajnime adekuate në bashkëpunim me Forumin Kosovar dhe UNICEF-in. Gjithashtu, fola edhe për angazhime tjera të MAShT-it në funksion të përmbushjes së obligimeve të përcaktuar në Planin nacional për personat me aftësi të kufizuara dhe për të ofruar një arsim cilësor për të gjithë”, ka deklaruar ministri Bytyqi.
/Epoka e re/