Ministri Bytyqi priti përfaqësuesit e Caritas-it zviceran
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim përfaqësues të Caritas-it zviceran, të prirë nga Fred Lauener, përgjegjës i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Evropë dhe Azi dhe Sandra Ege, përgjegjëse për Kosovën, me të cilët bisedoi për projektin e përbashkët “SHPRESE – Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë, duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë”.
Ministri Bytyqi ka falënderuar Caritas-in zviceran për kontributin e madh që kanë dhënë në pjesën më të rëndësishme të zhvillimit të fëmijëve, pra në nivelin parashkollor, si në aspektin e edukimit, por edhe atë të përmirësimit të infrastrukturës.
Ministri ka theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tutje dhe theksoi se jo vetëm Instituti Pedagogjik (me të cilin do të realizohet ky projekt), por përkrahja nuk do të mungojnë me të gjitha kapacitetet që ka MAShT-i, sepse bëhet fjalë për një moshë shumë të rëndësishme të zhvillimit të fëmijëve tanë.
Pasi që përmendi faktin se Kosova ka një pjesëmarrje shumë të ulët të fëmijëve 0-5 vjet dhe po synohet të rritet kjo pjesëmarrje, ministri Bytyqi ka thënë se shpreson që të mund të bisedohet në të ardhmen edhe për projekte të reja në këtë drejtim.
Fred Lauener, përgjegjës i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Evropë ka falënderuar ministrin Bytyqi për bashkëpunim dhe ka theksuar se Caritas-i zviceran ka marrë vendim që të shtojë prezencën në Kosovë me projekte të reja falë bashkëpunimit të mirë që ka ofruar MAShT-i në vazhdimësi.
Nga projekti “SHPRESE – Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë, duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë”, ndër të tjera, parashihet që të paktën 6.500 fëmijë të moshës 5-6 vjeçare të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në arsimin parafillor përmes klasave të pajisura me materiale mësimore dhe mësimdhënies cilësore.
/Epoka e re/