Ministri Bytyqi pro rritjes së numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu.
Në takimin e ftuar nga ministri Bytyqi, u bisedua rreth kërkesës lidhur me mundësinë e rritjes së numrit të studentëve për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë në UP, për vitin e ri akademik 2019/2020 .
Ministri Bytyqi shprehi gatishmëri që kjo kërkesë të realizohet për faktin se është një politikë me interes nacional dhe në funksion të kësaj MASHT është duke marrë veprimet e nevojshme, duke parë të gjitha mundësitë ligjore që kjo kërkesë të jetësohet, gjithnjë duke u bazuar edhe në vendimet e AKA-së.
Ministri Bytyqi dhe Ismaili, në fund të këtij takimi vlerësuan se është e nevojshme që të rritet numri i studentëve në mënyrë që të përmbushen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për shërbime mjekësore.