Ministri Bytyqi: Projekti ALLED II rrit pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në konferencën “Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut te punës-ALLED II”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkë financohet nga bashkëpunimi austriak për zhvillim.
Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i varfërisë dhe rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, përmes përmirësimit të punësueshmërisë.
Ministri Bytyqi me këtë rast ka thënë se Kosova ka një përqindje të lartë të rinisë e cila konsiderohet burim i potencialeve për punë dhe perspektivë për të ardhmen.
Bytyqi ka theksuar se përmes projektit ALLED II, arsimi i lartë do të ketë më shumë mbështetje në programet e studimeve, përmes të cilave do të ketë mundësi më të mira të zhvillimit të kapaciteteve të të rinjve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
“Përmes projektit ALLED II do të mbështetet veprimtaria në arritjen e rezultateve dhe mbështetjen e masave inovative, të parapara sipas planeve IPA 2017. Këtë projekt i cili do të zgjasë deri në vitin 2022, MAShT e konsideron shumë të rëndësishëm, sidomos në uljen e varfërisë në vend, duke rritur pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës dhe duke rritur punësimin e shoqërisë”, është shprehur Bytyqi.
Ai ka theksuar se MAShT-i së bashku me partnerët janë të përkushtuar që përmes përgatitjes së standardeve të profesioneve, zhvillimit të kurrikulave, fuqizimit të shkollave dhe ndërlidhjes së profesioneve të ofruara me tregun e punës të përmirësojë ngritjen e cilësisë në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional.
Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
/Epoka e re/