Ministri Bytyqi takon ekspertin Reyes, flasin për përmirësimin e sistemit arsimor
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim specialistin e arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Bankën Botërore, Joel Reyes, me të cilin ka biseduar rreth zbatimit të projektit ESIP që ka për qëllim përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.
Me këtë rast ministri Bytyqi ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme në arsim si dhe ka përmend faktin se tashmë MAShT-i ka filluar me procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve (VPM) që është edhe njëra nga komponentet e projektit.
“Gjatë takimit me z. Reyes, theksova rëndësinë që ka matja e performancës së mësimdhënësve për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe kërkova përkrahjen e Bankës Botërore edhe në implementimin e komponentave tjerë, që janë po ashtu të rëndësishme, si dhe premtova angazhim të shtuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/