Ministri Bytyqi thotë se kjo Qeveri do ta depolitizojë arsimin
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se kjo qeveri ka vullnet dhe gatishmëri për të depolitizuar arsimin në vend.
“Politizimi i shkollave ekziston. Kyçi i kësaj ne konsiderojmë se është menaxhimi i shkollave. E para është se duhet të gjejmë një formulë të zgjedhjes së drejtorëve. Duhet të fillojmë diskutimin që drejtorët e shkollave të mos jenë koordinatorë të pikave të zgjedhjeve, sepse cilësia e menaxhimit të mirë varet nga drejtori”, ka thënë Bytyqi, në takimin e sotëm që ka pasur së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, me rektorët e universiteteve publike dhe kolegjeve private, përfaqësues të organizatave për arsim dhe të shoqërisë civile, në një takim të nivelit të lartë të organizuar nga MAShT-i.
Bytyqi ka pohuar se sigurimi i cilësisë në arsim mbetet sfidë për të gjitha nivelet.
Në këtë takim është folur edhe për arsimin profesional, ku ndër të tjera ministri Bytyqi ka theksuar se janë në përgatitje të një strategjie nacionale, pasi sipas tij besojnë që kjo strategji është çelësi për të rinjtë.