Ministri Bytyqi thotë se përkushtimi i tij është për një arsim me standarde të larta

01 nëntor 2018 | 15:58

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryeministrin Haradinaj Haradinaj, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të GIZ-it dhe të partnerëve tjerë ndërkombëtarë, udhëheqës të SBAShK-ut, si dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës mori pjesë në ngjarjen publike “Roli i prindërve në arsimimin e fëmijëve”, të organizuar nga MAShT dhe GIZ, me të cilën njëherësh është shënuar përvjetori i parë i ”Fushatës për Arsim më të Mirë“.

“Kjo ngjarje publike është fokusuar në promovimin e mëtejshëm të objektivave kryesore të fushatës për arsim më të mirë të lansuar një vit më parë me moton ‘Arsimi në dorën tënde’, e cila ka për qëllim parësor të bëjë arsimin prioritet në Kosovë, të lobojë më tutje mbi kërkesat e Zotimit për Veprim të Përbashkët, me fokus të veçantë promovimin e angazhimit prindëror në edukimin e fëmijës.

Falënderova GIZ-in, si partnerin kryesor në arritjen e synimeve për arsim më të mirë në Kosovë dhe theksova se çdo fushatë e ka rëndësinë e vet, por të bërit fushatë për të pasur një arsim më të mirë, është fushata më e rëndësishme që mund ta ketë vendi ynë”, ka thënë Bytyqi.

Ministri ka folur edhe për të arriturat që janë shënuar që nga hapja e kësaj fushate, duke filluar nga diskutimet e shumta edhe me nivelin lokal dhe shkollat për të eliminuar çdo dobësi që ekziston në sistemin tonë arsimor dhe për të trasuar një sistem me standarde të larta.

“Gjatë kësaj periudhe kemi bërë një fushatë të mirë për vetëdijesim të përgjithshëm që arsimi të jetë prioritet kryesor në Kosovë dhe ja kemi arritur, sepse vet rritja e buxhetit dedikuar arsimit e tregon këtë. Pastaj, kemi identifikuar cilët janë akterët kryesorë që mund të ndihmojnë ndryshimet për të cilat ka nevojë sistemi arsimor në Kosovë.

Jemi të bindur, se kur të bëhemi të gjithë bashkë, çdo dobësi që e kemi mund ta eliminojmë dhe për këtë arsye sot i kemi ftuar prindërit që ta kenë një rol shumë të rëndësishëm dhe të jenë pjesëmarrës aktiv në shkollë”, është shprehur ai.

Ministri Bytyqi ka theksuar se bashkë me GIZ-in dhe partnerët tjerë janë identifikuar katër shtylla kryesore për vitin 2019, të cilat do ta bëjnë arsimin më cilësor.

“Në kuadër të këtyre katër shtyllave, janë dy shtylla kryesore për të cilat një rol të rëndësishëm duhet ta luajnë prindërit, pra do të kenë rol të rëndësishëm në menaxhimin e përbashkët të shkollës dhe do të jenë këshilltarë të vazhdueshëm për metodat e reja, të cilat po planifikohet të aplikohen në shkolla.

Fëmijët tanë janë fëmijë të Evropës, fëmijë perëndimorë. Ata duhet të edukohen në këtë frymë. Për këtë ne jemi të vendosur dhe jam i sigurt se do t’ia arrijmë të gjithë së bashku”, ka thënë ministri Bytyqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mesfushori i Arsenalit, Paul Merson, e ka zgjedhur shqiptarin me…