Ministri Bytyqi tregon për ecurinë e procedurave të teksteve të reja shkollore
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur konferencë për media lidhur me procesin e teksteve të reja shkollore, me ç’rast janë dhënë informata për ecurinë e procesit në të dy fazat, të cilat janë zhvilluar në formë të Kampusit.
Ministri Bytyqi në fjalën e tij ka bërë me dije se MAShT-i ka bërë thirrje publike për recensentët e dorëshkrimeve edhe pse në bazë të ligjit, recensentët mund të emërohen në mënyrë direkte dhe për këtë është formuar një komision profesional.
Ai ka theksuar se të gjitha dorëshkrimet të cilat kanë qenë pjesë e këtij procesi kanë qenë të koduara dhe do të vazhdojnë të jenë deri në përfundim të procesit, ndërkaq ka shtuar se tekstet e përzgjedhura fillimisht do të pilotohen.
Po ashtu, ministri Bytyqi ka bërë me dije se organizmi i kampuseve ku është bërë vlerësimi i dorëshkrimeve nuk kanë tejkaluar planifikimin buxhetor.
“Buxhetimi nga ana e KEPSh-së ka rezultuar pozitiv, jemi nën koston e buxhetimit i cili ka qenë i planifikuar. Kemi shpenzuar shumë më pak se sa kemi planifikuar dhe në mënyrën më të mirë është ruajtur paraja publike. Jemi munduar të krijojmë kushte sa më të mira për recensentë. Faza e parë ku është punuar në tekstet e klasave 1, 6 dhe 10 ka kushtuar 27 mijë e 480 euro, faza e dytë ku është punuar me tekstet e klasave 2, 7 dhe 11 ka kushtuar 34 260 euro, ndërsa faza e tretë që është organizuar në Emerald ka kushtuar 12 564 euro”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai ka thënë se MAShT-i ka marrë të gjitha masat profesionale dhe logjistike që procesi të shkojë sa më mirë dhe mbarë, duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e procesit.
/Epoka e re/