Ministri Bytyqi u prit nga guvernatorja dhe sekretari i shtetit të Iowas

13 shkurt 2018 | 11:49

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është pritur sot nga guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds, si dhe nga sekretari i Shtetit të Iowas, Paul D. Pate në takime të ndara, në të cilat është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Iowas dhe Kosovës në fushën e arsimit.

Në këto takime, në të cilat ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri Bytyqi ka falënderuar guvernatoren Reynold si dhe sekretarin Pate për të gjitha ato që ka bërë shteti i tyre për Kosovën në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e arsimit.

Ministri Bytyqi ka theksuar faktin se tashmë ka një bashkëpunim të mirë mes universiteteve të Iowas dhe atyre të Kosovës. Por, ai ka shtuar se thellimi i këtij bashkëpunimi do të ishte i një rëndësie të veçantë për të rinjtë e Kosovës, të cilët janë të talentuar dhe ambiciozë dhe si rezultat kjo do t’i ndihmonte Kosovës për zhvillim në të gjitha fushat tjera.

Ministri Bytyqi mori konfirmimin e guvernatores Reynolds, se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e Iowas dhe do të ketë bashkëpunim mes e dy vendeve në shumë fusha të rëndësishme, e mes tyre edhe në fushën e arsimit dhe edukimit.

Ministri Bytyqi po qëndron për vizitë zyrtare në Iowa të ShBA-ve, ku në vazhdim të vizitës do të ketë edhe shumë takime të rëndësishme dhe vizita në institucione të arsimit dhe universitete të Iowas.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të prirë nga…