Ministri Bytyqi vizitoi gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë
Në kuadër të vizitave që po u bën shkollave të Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka vizituar të martën gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.
Në ditën e dytë të fillimit të vitit të ri shkollor, ministri Bytyqi, fillimisht i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për një vit të mbarë shkollor, vit ky, për të cilin tha se do të jetë një vit i sukseseve në të gjitha shkollat e Kosovës.
Në bashkëbisedim me mësimdhënësit e Gjimnazit, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë shkollë, e cila është me traditë dhe ka nxjerrë gjenerata të tëra intelektualësh.
Në vazhdim, ministri Bytyqi ka theksuar se nga vizitat që po bën nëpër komuna dhe nëpër shkolla, po vërehet një mobilizim i përgjithshëm i autoriteteve komunale, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve.
“Kjo na obligon që të angazhohemi më shumë drejt përmbushjes së synimeve për një arsim më cilësor”, ka thënë ai. Duke folur për punën e mësimdhënësve, ministri Bytyqi ka theksuar se ata nuk janë vetëm të punësuar, por profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë dhe kërkon më shumë angazhim për të arritur suksese.