Ministri Cakaj bashkon shqiptarët e Luginës së Preshevës për zgjedhjet në Serbi
Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSh dhe Lëvizja e Progresit Demokratik në Luginë të Preshevës kanë arritur të krijojnë për herë të parë një ujdi ku do të përfaqësohen me një program në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë.
Programi i tyre i përbashkët do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” dhe shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje të përbashkët është bërë në Tiranë në mes të përfaqësuesve të partive shqiptare të Luginës dhe pranisë së ministrit në detyrë për Punë të Jashtme, Gent Cakaj.
“Ky bashkim do t’i shërbejë jo vetëm fuqizimit të Luginës së Preshevës, por edhe rritjes së frymëzimit kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi. Partitë nënshkruese të kesaj marrëveshje sot kanë dhënë shembullin më të vyer të tejkalimit të dallimeve të brendshme në funksion të Luginës së Preshevës dhe interesave kombëtare në përgjithësi. Urime të gjithëve, përqafime Luginës së Preshevës dhe shihemi së shpejti”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.