Ministri Cakaj: BE-ja, diskriminuese ndaj Kosovës
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka pritur sot në Tiranë ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde.
Në këtë takim është diskutuar mbi dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, zhvillimet në rajonin e Ballkanit dhe sfidat e sigurisë.
Forcimi i dialogut politik, jo vetëm mes vendeve tona, por edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, ku si Shqipëria, ashtu edhe Suedia luajnë një rol aktiv, u cilësua i një rëndësie të veçantë.
Ministri Cakaj ka vlerësuar rolin mbështetës të Suedisë për procesin e zgjerimit, në përgjithësi dhe përpjekjeve të Shqipërisë, në veçanti, në këtë proces.
Cakaj e Linde kanë ndarë të njëjtin mendim se procesi i integrimit në BE, mbetet procesi më themelor për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ofron kuadrin e nevojshëm të reformave drejt stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm politik dhe ekonomik të Shqipërisë.
Ministri Cakaj është ndalur edhe në qasjen që BE ka ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj sa i përket liberalizimit të vizave:
“Pothuajse si çdo herë tjetër, në takime të formatit të tillë, nënvijëzova edhe qasjen e padrejtë të BE-së karshi qytetarëve të Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe meriton të lëvizë lirshëm pa regjim vizash, në hapësirën e Bashkimit Evropian”, është shprehur Cakaj.