Ministri Cakaj takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka pritur të premten në takim zyrtar përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës.
Cakaj ka thënë se shqiptarët në Serbi nuk janë vetëm një faktor margjinal, por një aset shumë i vyer shoqëror e kombëtar.
“Sot pata nderin e veçantë të pres në takim zyrtar në Tiranë përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës! Bashkëkombësit tanë në Serbi nuk janë vetëm një faktor margjinal por një aset shumë i vyer shoqëror e kombëtar. Ne do të vazhdojmë të artikulojmë shqetësimet e përbashkëta dhe të punojmë pakursyer në shërbim të mbrojtjes së të drejtave të tyre!”.
“Mes të tjerash, ndamë pikëpamje të njëjta në një varg çështjesh: së pari, pasivizimi i vendbanimeve në Luginë të Preshevës nuk përbën vetëm qasje përjashtuese shoqërore por edhe dëmtim përmbajtjesor të demokracisë atje; së dyti, njohja e teksteve mësimore në shkolla fillore e të mesme e përdorimi i papenguar i simboleve kombëtare është jo vetëm në shërbim të ruajtjes së identitetit të tyre por edhe kusht i zhvillimit të përgjithshëm atje; së treti, përfshirja proporcionale në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore do të mbetet një kauzë që do t’i japim zë vazhdimisht e bashkërisht. Jashtëzakonisht krenar me vullnetin e tyre për të tejkaluar dallimet e brendshme në shërbim të objektivave madhore kombëtare”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/