Ministri çek: Integrimi i Kosovës në BE lidhet ngushtë me dialogun me Serbinë
Ministri i Çekisë për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, ka thënë se është i kënaqur për vizitën e tij në Prishtinë dhe me progresin domethënës që Kosova e ka bërë.
Dvorak ka thënë se Çekia në vazhdimësi ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa ka përmendur edhe liberalizimin e vizave.
“Po ashtu, jam i kënaqur që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht, sikurse unë kam udhëtuar drejt Kosovës dhe më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KE”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Ministri çek është shprehur se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) lidhet ngushtë me dialogun me Serbinë.
“Siç e ritheksova, Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës dhe kam dëshmi për këtë. Një shprehje e miqësisë përfshin po ashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë dhe do të më pëlqente të them se integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, ka thënë Dvorak.
Më tutje, ai ka thënë se Çekia është e gatshme që t’i ofrojë Kosovës mbështetjen, udhëzuesin dhe ekspertizën për t’i ndihmuar për t’i arritur qëllimet e saj evropiane, teksa është shprehur i bindur se Kosova do të ketë sukses në këtë aspekt.