Ministri Çeku: FFK-ja do të licencohet
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se askush nuk mund ta ndalë futbollin, derisa ka qenë kritik edhe ndaj komisionit.
“Ne nuk mund ta interpretojmë Kodin Etik të FIFA-s dhe Komisioni nuk ka të drejtë të japë mendim. Kur na duhet një interpretim ne komunikojmë drejtpërdrejt me FIFA-n dhe UEFA-n. Pra, nuk ka mundësi dhe nuk ka kush që mund ta bllokojë futbollin”, ka thënë ministri. Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që kjo çështje të shkojë në gjykatë.
“Nuk besoj që do të shkoj në gjykatë kjo çështje sepse nuk jemi ne në betejë me futbollin por jemi bashkë. Do ta quaja dështim edhe për mua nëse nuk licencohet futbolli. FFK-ja do të licencohet dhe atë më së largu në fund të shkurtit, eventualisht në fillim të marsit”, ka shtuar ministri Çeku, duke qetësuar kësisoj komunitetin e futbollit e veçmas klubet, të cilat tash e disa javë janë të shqetësuara për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me vërtetimin për të fituar nga Ligji i Sponsorizimit.