Ministri Çeku, FFK-së: Nuk lejojmë shkelje të ligjit e të statutit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ta respektojë statutin e saj dhe Ligjin e Sportit të Republikës së Kosovës në procesin zgjedhor për kryetar të saj.
Mandati i kryetarit aktual, Agim Ademi, skadon në muajin korrik, por Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në krye me Agim Ademin, e ka thirrur për 6 prill Kuvendin Zgjedhor, duke ngjallur dyshime për shkelje ligjore e statutore dhe kurdisje të Kuvendit, siç është thënë nga “opozita” e Ademit, i cili insiston për mbajtjen e Kuvendit më 6 prill madje, me gjasë, pa kundërkandidat.
“Nëse dikush mendon që MKRS-ja do të bëjë kompromise në raport me standardet e qeverisjes së mirë në raport me detyrimet statutare të federatave dhe organizatave të tjera sportive e ka gabim. Prandaj nga këtu ju bëj të qartë të gjithëve që MKRS e merr shumë seriozisht qeverisjen e mirë brenda federatave sportive dhe ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje dhe asnjë tejkalim të normave statutare, të rregulloreve të MKRS-së dhe Ligjit të Sportit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çeku në ceremoninë e ShGSK-së.