Ministri Çeku i reagon Serbisë në tentimin për të organizuar gara ilegale në Kosovë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar ashpër për letrën e federatës së sportit të Serbisë dërguar UEFA-s.
Ai ka shkruar në “Facebook” se letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.
Çeku ka theksuar se Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.
“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë. Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës. Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht. Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit”, ka shkruar ministri Çeku.