Ministri Çeku: Kosova do t’i ndjekë rrugët ligjore ndaj Serbisë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me ndalimin e boksierëve kosovarë nga policia serbe, për Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd.
MKRS-ja e ka dënuar rëndë veprimin e autoriteteve serbe për ndalimin që iu bë ekipit të boksierëve kosovarë në kufi.
Çeku ka deklaruar se ditë më parë së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës i kanë dërguar një kërkesë zyrtare MKRS së Serbisë për ta tërhequr prapa iniciativën e tyre për bllokimin e delegacionit kosovar për të hyrë në Serbi.
“Në emër të Qeverisë së Kosovës e dënojmë rëndë veprimin për ndalimin e pjesëmarrjes së boksierëve në Botëror. Konsiderojmë se ky veprim i organizatorit, është vendim i marrë nga direktivat të qeverisë serbe. Jam këtu sot para jush bashkë me përfaqësuesen tonë. Para dy ditëve MKRS-ja së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme, kemi drejtuar kërkesë zyrtare në MKRS të Serbisë për të tërhequr prapa iniciativën e tyre për bllokimin e delegacionit kosovar për të hyrë në Serbi”, ka thënë ministri Çeku në konferencë.
“Ftesën për pjesëmarrje e kemi parë nga Federata Botërore e Boksit e jo nga shteti i Serbisë. Kemi kërkuar reagim edhe nga ambasadat e shteteve në Kosovë që me autoritetin e tyre të ndërhyjnë”, ka shtuar ai.