Ministri Çeku: Peci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës
Figura e legjendës së boksit kosovar Xhevdet Peci është vlerësuar lartë për kontributin e dhënë në kohët e vështira të popullit të Kosovës përmes sukseseve të tij të mëdha në sport në ish-Jugosllavi.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, personalitete të njohura nga skena politike dhe sportive e vendit kanë bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Xhevdet Pecit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku tha se Peci ishte njëra nga figurat qendrore të sportit të Kosovës dhe se ika e tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për vendin tonë.
“Ka qenë një nga figurat qendrore të sportit në Kosovë më kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm me suksesin e tij sportiv por edhe me kontributin më pastaj në zhvillimin e sportit të boksit në Kosovë . Është një humbje e madhe për familjen e tij të gjakut, për familjen e tij sportive dhe për të gjithë popullin tonë. Suksesi dhe kontributi i tij do të jehojnë përherë “, tha Çeku, shkruan KosovaPress.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:30 në fshatin Zhazhë të Komunës së Mitrovicës.
Gjithashtu, sot, nga ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e boksit në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.
Xhevdet Peci ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 67 vjeçare.
Ai njihej si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë.
Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta.
Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti.
Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.