Ministri Çeku tregon arsyet e zvogëlimit të fondeve për federatat

24 maj 2021 | 12:04

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se arsyeja se pse janë zvogëluar fondet për federatat e sporteve në Kosovë është se momentalisht këto janë kapacitet buxhetore që ka shteti i Kosovës dhe se buxheti i tanishëm është planifikuar nga qeveria e kaluar.

Tutje, Çeku në emisionin “Ora shtatë” në Klan Kosova ka thënë se në vitin e ardhshëm do të jetë viti i parë me buxhetin e Qeverisë Kurti dhe se sipas tij, qeveria momentale e ka gjetur të gatshme këtë situate.

“Ky sivjet është buxhet i pandemisë, është buxhet  i krizës dhe ka shkurtime në të gjitha anët. Prandaj i kemi shty limitet e financimit për federatat sivjet, por këto janë mundësitë”.

Çeku ka thënë se kanë komunikuar me të gjitha federatat dhe ua kanë shpjeguar se ky buxhet që po e marrin ata është mundësia aktuale financiare e shtetit.

“Ne i kemi ftuar federatat dhe Komitetin Olimpik që së bashku me neve të na ndihmojnë në dizajnimin e buxhetit të vitit të ardhshëm”.

Ministri ka thënë se kanë nevojë për disiplinë financiare, pasi që sipas tij, ka shumë federata që kanë dështuar që t’i mbyllin edhe avanset që i kanë marrë ose kanë dështuar që t’i raportojnë financat e viteve te kaluar dhe ka thënë se kjo gjë duhet ë rregullohet një herë e mirë.

“Dhe më e rëndësishmja është se ne u kemi premtuar federatave se që nga viti i ardhshëm këstet tre mujore do t’i marrin në fillim, në mënyrë që të kenë mundësi të planifikojnë me kohë dhe të kenë buxhet në xhirollogaritë e tyre për aktivitete e tyre”, është shprehur Çeku, njofton Klankosova.tv.

Në fund, Çeku ka thënë se në sport janë shumë të interesuar që të transformojnë ambientin sportiv pasi që sipas tij sot në sport ka edhe kurdisje dhe dhune.

“Në sport jemi shumë të interesuar që ta transformojmë ambientin sportiv, sepse sot në sport ka edhe kurdisje për fat të keq, ka edhe dhunë, ka edhe fyerje dhe ka telashe, ndërsa ambientet sportive duhet të jenë ambiente familjare ku dikush duhet të ndihet rehat që të shkojë atje me fëmijët e vet”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjilanit ka pranuar të hënën një donacion prej…