Ministri Çuçi: Nuk ndjekim dot çdo makinë dhe as s’kontrollojmë sherret në mesnatë ndërmjet fqinjëve
Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi, pas ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin ku gjatë dy ditëve të fundit janë shënuar 10 viktima, ka mbajtur një konferencë për shtyp duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai ka thënë se policia e shtetit nuk mund të ndalojë sherrin mes fqinjëve në mes të natës dhe po ashtu nuk mund të kontrollojë sipas tij të gjitha makinat që janë në qarkullim.
“Ditët e fundit jemi tronditur të gjithë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme. Një aksident tragjik rrugor, me katër jetë njerëzish të humbura dhe një tjetër vrasje me armë zjarri ku humbën jetën 4 persona për një parcelë plazhi. I mirëkuptoj ankesat e qytetarëve. Por dua të theksoj fort se Policia e Shtetit, përtej të metave të saj dhe përmirësimit që do të bëhen, as nuk ndjek të gjitha makinat që lëvizin në rrugët e vendit dhe as pas konfliktit të fqinjëve. Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës kriminelë, ato i ndalon gjykata”, ka thënë Çuçi.
Më tutje, Çuçi e ka drejtuar gishtin tek prokurorët dhe gjyqtarët duke thënë se kanë dhënë masa të gabuara për persona me precedentë të rrezikshëm penalë. Gjithashtu, ai paralajmëroi ndryshime në nivel të lartë drejtues në Policinë e Shtetit.
“Në disa qytete janë ndaluar tri shtetas me precedent të rëndë penal, madje në një rast, arma e zjarrit kishte dhe fishekë në fole gati për qitje, fatkeqësisht Prokurorët dhe Gjyqtarëve, si ajo e Fierit dhe në Vlorë, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës kanë dhënë masa lehtësuese, ku minimumi për këto vepra penale është 3 vite. Vendimet e gjykatësve të tjerë për plagosjen e disa personave janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. Duhet një reagim të shpejtë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Këto janë shembuj ulëritës, të asaj, që si duhet të jetë forca e ligjit. Skandaloze ka qenë dhe marrja e zonave të plazheve. Tani ka rregull për këtë ndarje. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh, por vetëm zbaton ligjin. Përsëris, kjo s’do të thotë Policia e Shtetit s’ka dobësi dhe të meta, po përgatitemi për një fazë të re të reformës. Brenda javës do të nisë një ndryshim i thellë me drejtuesit në nivel qarku, ku do të nisë më pas dhe me drejtoreve në çdo qytet të Shqipërisë. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e policisë rrugore me kamera. Më lejoni të përfundoj që ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e kohës dhe shumë shpejt të gjithë do e prekin ndryshimin e mëtejshëm për të mirën e Policisë së Shtetit”, ka thënë Çuçi, raporton “abcnews”.
Konferenca vjen një ditë pas takimit të ministrit Çuçi dhe drejtuesve të tjerë të policisë me kryeministrin Edi Rama në Vlorë. Rama ka paralajmëruar dje një ristrukturim, teksa ka thënë se ishte parashikuar për në fund të verës, por për shkak të ngjarjeve të fundit do të përshpejtohet.