Ministri danez shprehet falënderues ndaj Kosovës për ndihmën me burgun e Gjilanit
Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, nën shoqërinë e ministres Albulena Haxhiu, ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku do të vendosen 300 të dënuar nga Danimarka.
Në një prononcim të shkurtër për medie, Hummelgaard ka thënë se ardhja e tij në Kososvë ka të bëjë për ndihmë në shfrytëzimin e kapaciteteve të burgjeve kosovare.
Me ç’rast, ai është shprehur falënderues ndaj Kosovës, për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për të dënuarit e saj.
“Ne tani kemi ardhur në Kosovë për ndihmë për shfrytëzimin e kapacitetit të burgjeve kosovare. Kjo është ndihmë e madhe për Danimarkën. Kjo vizitë shënon zbatimin praktik të projektit. Sot kemi nënshkruar kontratën me kontraktuesin që do të rinovojë objektet këtu në Gjilan. Ne kemi qenë shumë të bindur në të kaluarën që jemi në gjendje të mbështesim dhe ndihmojmë Kosovën, dhe e dimë se kemi nevojë për ndihmë nga Kosova në përdorimin e kapaciteteve të qasjes në burgjet dhe objektet e paraburgimit të kosovarëve””, ka thënë ministri danez para medieve.
Ndërsa ministrja Haxhiu, ka thënë se finalizimi i marrëveshjes do të bëhet pas përfundimit të punëve teknike.
“Sot shpreha gatishmërinë e qeverisë se do të adresojmë të gjitha përgjegjësitë që i kemi. Jemi shtet serioz, jemi vend demokratik, prandaj është e rëndësishme që zotimet që i marrim t’i adresojmë si duhet”, ka deklaruar Haxhiu.
Paraprakisht, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se janë transferuar pesë milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja.